Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi projektrezolutën e cila kërkon që Rusia të tërheqë menjëherë ushtarët dhe personelin e saj nga centrali bërthamor Zaporizhzhia, që ndodhet në rajonin nën kontrollin e saj si dhe t'i kthejë menjëherë objektin Ukrainës.
Projektrezoluta e cila u hodh në votim në Asamblenë e Përgjithshme, u miratua me 99 vota pro dhe 9 vota kundër.
Vendet që votuan kundër projektrezolutës që kërkon që Rusia të tërheqë menjëherë ushtarët dhe personelin e saj nga centrali bërthamor Zaporizhzhia dhe t‘i kthejë menjëherë objektin Ukrainës ishin Rusia, Bjellorusia, Kuba, Eritrea, Mali, Nikaragua, Siria, Burundi dhe Koreja e Veriut, ndërsa 60 vende duke përfshirë Kinën, Indinë dhe Afrikën e Jugut abstenuan.
Në vendim shprehet "shqetësim serioz" për rrezikun bërthamor dhe situatën e sigurisë në këtë central dhe thuhet se kthimi i tij nën kontrollin e plotë të Ukrainës do të garantojë mbrojtjen dhe sigurinë e centralit dhe do të lejonte Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të "marrë masa për mbrojtje të sigurt, efikase dhe efektive".
Në rezolutën, ku përsëritet kërkesa që Rusia "të përfundojë menjëherë agresionin e saj kundër Ukrainës" dhe të tërheqë të gjithë ushtarët e saj, u konfirmua edhe një herë angazhimi i OKB-së për "sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial" të Ukrainës.
Centrali bërthamor Zaporizhzhia që ka 6 reaktorë bërthamorë, ndodhet në rajonin e kontrolluar nga Rusia në juglindje të Ukrainës afër vijave të frontit dhe është vazhdimisht nën zjarr të kryqëzuar.
- Paralajmërimi i Ukrainës për centralin bërthamor Zaporizhzhia
Përfaqësuesi i Përhershëm i Ukrainës në OKB, Sergiy Kyslytsya, i cili solli projektrezolutën në Asamblenë e Përgjithshme, pretendoi se Rusia "vazhdon të shkelë parimet bazë të sigurisë bërthamore" dhe vazhdon të sulmojë objektin.
Kyslytsya kujtoi se Ukraina dhe vendet fqinje ishin të ekspozuar ndaj "pasojave katastrofike" të shpërthimit bërthamor që ndodhi në centralin e Çernobilit në vitin 1986 dhe paralajmëroi se pasojat e një shpërthimi të mundshëm në Zaporizhzhia do të ishin shumë më katastrofike.
Ndërsa zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i Rusisë në OKB, Dmitry Polyansky, akuzoi vendet që miratuan rezolutën për "mbështetje të tregimit të rremë perëndimor në lidhje me burimin e kërcënimeve ndaj objekteve bërthamore në Ukrainë".
Polyansky mbrojti idenë se i vetmi kërcënim për objektet bërthamore në Ukrainë janë "sulmet e rregullta dhe të pamatura të Kievit ndaj centralit bërthamor të Zaporizhzhia, infrastrukturës së tij dhe qytetit aty pranë ku jetojnë punonjësit e centralit dhe familjet e tyre"./aa