Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi rëndësinë e përpjekjeve për paqe në Sirinë fqinje, duke u bërë thirrje të gjithë activistëve të paqes që të mbështesin këtë iniciativë.

“Ne duam paqe në Siri dhe presim që të gjithë ata që mbështesin paqen të mbështesin këtë thirrje historike”, u tha Erdoğan gazetarëve gjatë fluturimit të kthimit nga Washington-i, ku mori pjesë në një samit të liderëve të NATO-s këtë javë.

Në lidhje me përpjekjet e Türkiyes për paqen në Siri, Erdoğan tha: "SHBA dhe Irani duhet të mirëpresin këto zhvillime pozitive dhe të mbështesin procesin për t'i dhënë fund vuajtjeve të mëdha".

“Nga një paqe e drejtë në Siri do të përfitonte më shumë Türkiye (mes vendeve fqinje)”, tha presidenti turk, duke shtuar: “Hapi më i rëndësishëm në këtë proces është fillimi i një epoke të re me Sirinë”.

Duke folur rreth një takimi të mundshëm me presidentin sirian Bashar al-Assad, diçka që ai ka lënë të kuptohet ditët e fundit, Erdoğan tha: "Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan po punon me homologun e tij sirian për të përcaktuar një udhërrëfyes, ne do të ndërmarrim hapa në përputhje me rrethanat".

"Ne jemi përpjekur për vite të tëra për të shuar zjarrin në fqinjin tonë, Sirinë," tha Erdoğan, duke iu referuar luftës civile siriane mbi dhjetëvjeçare, e cila bëri që miliona emigrantë sirianë të vijnë në Türkiye dhe krijoi një vakum pushteti pranë kufirit turk, të cilin u përpoqën ta shfrytëzojnë grupet terroriste.

“Pritja jonë kryesore është që askush të mos shqetësohet nga procesi në të cilin Siria ndërton një të ardhme të re si një vend i bashkuar dhe i tërë”, tha Erdoğan, duke shtuar:

“Grupet terroriste do të bëjnë gjithçka që munden për të helmuar procesin e paqes në Siri. Ata do të kurdisin provokime dhe do të ngrenë kurthe. Ne jemi të vetëdijshëm për të gjitha këto plane dhe jemi të përgatitur”.

Presidenti turk javën e kaluar sinjalizoi një iniciativë të re diplomatike për paqe me Damaskun, duke sugjeruar një ftesë të mundshme për presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad.
 

Presidenti Erdoğan gjithashtu foli edhe për marrëdhëniet me Irakun dhe gjendjen në veri të vendit fqinj, duke u shprehur: “Qëndrimi ynë ndaj administratës në Sulejmanije nuk do të ndryshojë për sa kohë që nuk distancohen nga PKK-ja terroriste”.

Duke folur rreth luftës shkatërruese të Izraelit në Gaza, presidenti turk u shpreh: “Ata që duan të qëndrojnë në anën e duhur të histories, duhet të njohin shtetin e Palestinës. Kjo është e nevojshme që të keni një qasje të drejtë”.

Erdoğan gjithashtu kundërshtoi kufizimet nga Gjermania në lidhje me shitjet në industrinë e mbrojtjes, duke thënë se kufizime të tilla midis aleatëve nuk i përshtaten aleancës së NATO-s.

Ai kundërshtoi gjithashtu doganat gjermane që pengonin dorëzimin e turbinave për centralin bërthamor Akkuyu, tani në ndërtim në pjesën jugore të Türkiyes.

Erdoğan gjithashtu njoftoi një vizitë të mundshme në Kinë pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë vjeshtë, duke shprehur shpresën se presidenti Xi Jinping vitin e ardhshëm do të bëjë një vizitë kthimi në Türkiye./aa