Shqipëria do të nisë rrugëtimin në UEFA Nations League në muajin shtator të këtij viti, aty ku kuqezinjtë ndodhet në grupin B1 së bashku me Çekinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Ndeshjen e parë Shqipëria do ta luajë në transfertë më datë 7 shtator ndaj Ukrainës.

Ndërsa më datë 10 shtator kuqezinjtë do të luajnë takimin e dytë në këtë kompeticion ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Air Albania”, në ora 20:45.

Federata Shqiptare e Futbollit njofton të gjithë futbolldashësit dhe tifozët e Kombëtares se nga sot do të kenë mundësi që të blejnë biletat e tyre për sfidë Shqipëri – Gjeorgji në linkun: ebileta.al.

FSHF nënvizon se biletat do të shiten vetëm ONLINE në këtë link dhe çdo faqe tjetër është e paautorizuar për të shitur bileta.

Procedura se si blihet bileta online:

Fillimisht ju duhet të regjistroheni në platformë duke përdorur një adresë e-mail.

Më pas, zgjidhni tribunën e stadiumit dhe më pas përzgjidhni ulësen.

Pasi keni përzgjedhur ulëset, duhet të plotësoni në tabelën dialoguese të dhënat për biletat (mbiemër, emër, e-mail)

Në fund procedoni me pagesën, duke plotësuar të dhënat e kartës tuaj. Pasi të konfirmohet pagesa, bileta do të mbërrijë në adresën e-mail me të cilën jeni regjistruar në platformë./ata