Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe Shoqata “Çamëria”, vlerësuan vizitën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj nē varrezat monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” të Kllogjerit.
Në një deklaratë për shtyp ato u shprehën se akti i sotëm është një shembull i mirë për të gjitha institucionet dhe shtetarët në respekt të historisë tonë dhe sakrificës së jetëve të humbura nga padrejtësitë e së kaluarës.
“Begaj është Presidenti i parë që nderon kujtimin e 2900 viktimave të gjenocidit dhe spastrimit etnik grek mbi shqiptarët e Çamërisë. Akti i sotëm është një shembull i mirë për të gjitha institucionet dhe shtetarët në respekt të historisë tonë dhe sakrificës së jetëve të humbura nga padrejtësitë e së kaluarës”, thuhet në deklaratë.
Presidenti Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Bashkinë e Konispolit, skajin më jugor të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, vendosi një kurorë me lule në varrezën monumentale “Trëndafilat e Çamërisë” në Kllogjer, memorial kushtuar viktimave të eksodit të çamëve gjatë viteve 1944-1945./ata