Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se marrëdhëniet me Greqinë janë më të mirat ndonjëherë, ndërsa komentoi edhe qendrimet e opozitës greke lidhur me vizitën e tij ditën e djeshme në Athinë, ku u takua me shqiptarët që jetojnë e punojnë në Greqi.
“Janë të gjitha mundësitë që të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet. Kryeministri aktual i Greqisë është njeriu më i hapur dhe disponueshëm që kam takuar në 10 vite në atë zyrë”, u shpreh Rama në një intervistë në një nga emisionet televizive në vend.
Rama theksoi se vizita e tij nuk ishte ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë.
“Nuk erdha këtu t’i jap mbështetje apo t’i heq mbështetje dikujt. Ndërhyrje do të ishte po të flisja për punët e Greqisë. Ndërsa punët e Shqipërisë nuk janë punët e brendshme të Greqisë, por Shqipërisë. Kur marrin përsipër të komentojnë punët e Shqipërisë, patjetër shqiptarët duhet të informohen si e konsiderojmë ne këtë. Koha kur shqiptarëve mund t’u thuhej se sa duhet të hedhin hapin ka vdekur“, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se opozita greke ka mbajtur qëndrime që në konsideratën e tij, nuk i bëjnë nder një force progresiste dhe familjes së tyre europiane.
“Në këtë aspekt nuk bëra ndërhyrje, thashë një të vërtetë. Opozita greke, pjesë e familjes socialiste europiane ka mbajtur qendrime, që në konsideratën time janë qëndrime që nuk i bëjnë nder një force progresiste dhe familjes sonë europiane”, tha Rama./ata