Një tjetër gazetar palestinez u vra sot në një sulm izraelit në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, duke e çuar numrin e gazetarëve të vrarë në 162 që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Burime mjekësore në Spitalin Al-Awda thanë për Anadolu se ushtria izraelite shënjestroi shtëpinë e familjes Ghorab në veri të kampit Nuseirat në Gazën qendrore.
Sulmi vrau gazetarin Moatasem Ghorabin dhe katër anëtarë të familjes së tij, duke përfshirë dy vajza, duke e rritur numrin e gazetarëve palestinezë të vrarë në Gaza që nga 7 tetori në 162, shtuan burimet.
Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës që nga një sulm i 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.
Më shumë se 38.900 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe mbi 89.600 janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Mbi nëntë muaj pas fillimit të sulmeve izraelite, pjesë të gjera të Gazës qëndrojnë në gërmadha, krahas një bllokade paralizuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit urdhëroi Tel Avivin të ndalonte menjëherë operacionin e tij ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.