Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu reagoi sot pas arrestimit të dy personave dhe një tjetër të shpallur në kërkim, të cilët i kanë marrë para një biznesmeni në Lezhë.

Ndreu tha se “një mik, biznesmen nga Lezha, ka rënë pre e një mashtrimi, ku disa shtetas, të panjohur për mua, kanë përdorur emrin tim për t’i marrë para”.

“Para ca ditësh ne e kapëm situatën, denoncuam dhe u bë e mundur kapja e autorëve nga ana e Policisë Lezhë. Nëse ka persona të tjerë që kanë rënë pre e këtij mashtrimi, ju lutem të denonconi në polici”, theksoi Ndreu.

Policia e Lezhës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Imposter”, arrestuan 2 shtetas, ndërsa po punohet për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Imposter”, u ndaluan shtetasit: Sh. D., 35 vjeç dhe S. S., 37 vjeç, të dy banues në Shijak dhe u shpall në kërkim shtetasi Sh. K., 63 vjeç, banues në Itali.

Këta persona mashtronin shtetas të ndryshëm, nëpërmjet një aplikacioni, duke komunikuar me ta, në emër të përfaqësuesve të institucioneve vendore.