Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka shkruar sot se papunësia në Kosovë ka rënë nga 11.8%, në 10.7%.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Besnik Bislimi ka shkruar se u është referuar të dhënave të fundit të Agjencisë të Statistikave të Kosovës.

“Në të dhënat më të fundit të publikuara nga ASK-ja, mbi shkallën e papunësisë në tremujorin e fundit të vitit 2023, konstatohet se ka patur një rënie të mëtejme të papunësisë nga 11.8% në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, në 10.7%”, ka shkruar Besnik Bislimi.

Sipas zv.kryeministrit Besnik Bislimi në tri vitet e fundit indikatorët ekonomikë kanë njohur përmirësime të konsiderueshme.

“Në tri vitet e fundit, indikatorët ekonomikë kanë njohur përmirësime të konsiderueshme dhe rritje të shpejtë. Më shumë punësim, më shumë zhvillim. Kosova është në rrugën e drejtë të zhvillimit dhe një të ardhmeje prosperuese”, ka shkruar Besnik Bislimi.

/KosovaPress/