Narrativa të rreme dhe dezinformata në shumë gjuhë po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe më shumë se 30 faqe lajmesh jo të besueshme po publikojnë propagandë pro ruse përpara Olimpiadës së Parisit.

Kjo është situata dy ditë para fillimit të lojërave, gjurmuar nga NewsGuard, platforma që monitoron dezinformatat në internet.

”Ekzistojnë pretendime të rreme, të cilat në disa raste marrin formën e artikujve apo raporteve të lajmeve që nuk publikohen kurrë dhe, në të tjera raste, ato të përmbajtjes që i atribuohen gabimisht markave apo agjencive qeveritare, të fokusuara kryesisht në kërcënimet e supozuara terroriste dhe rreziqet e sigurisë”, shpjegon NewsGuard.

Ndër mashtrimet që qarkullojnë në internet janë anulimet masive të rezervimeve olimpike apo që CIA lëshoi ​​një paralajmërim për të mos hipur në metro gjatë kësaj periudhe.

NewsGuard po gjurmon 14 site dezinformative në lidhje me Lojërat Olimpike të Parisit në 13 gjuhë: frëngjisht, greqisht, anglisht, italisht, holandisht, polonisht, portugalisht, rumanisht, rusisht, spanjisht, gjermanisht, turqisht dhe hungarisht.

Këto pretendime qarkulluan në rrjetet sociale dhe në 31 faqe lajmesh dhe informacioni jo të besueshme.

Gjashtëmbëdhjetë nga 31 faqet kanë publikuar tashmë propagandë dhe dezinformata pro ruse.

”Midis tyre ka 10 site që i përkasin rrjetit ‘Pravda’, një grup faqesh të menaxhuara në mënyrë anonime që ripublikojnë përmbajtje nga burime pro Kremlinit dhe që shpesh nxjerrin informacion të rremë ose qartësisht mashtrues”, thekson NewsGuard./ata