Tregu i transferimeve të janarit tanimë është zyrtarisht i hapur dhe disa nga yjet e Kombëtares kuqezi mund të hyjnë në negociata me klube të tjera, paçka se ende janë nën kontratë me ato aktuale. Duke qenë se Sokol Cikalleshi, Etrit Berisha apo edhe Keidi Bare kanë marrëveshje me ekipet aktuale deri në verën e 2024, ata mund të bisedojnë me secilin klub që ka interes. Në bazë të rregullave të UEFA-s dhe FIFA-s, gjashtë muaj nga fundi i kontratës lojtarët janë të lirë të hyjnë në bisedime për të ardhmen.

Sokol Cikalleshi - Sulmuesi që ishte pikë fikse e Kombëtares luan me Konyaspor në Turqi dhe gjashtë golat e këtij sezoni mund të bëjnë që skuadra turke t'i ofrojë rinovimin. Megjithatë ai ka kontratë deri në qershorin e këtij viti dhe në Euro 2024 me gjasë do shkojë si lojtar i lirë.

Etrit Berisha - Portieri i Empolit në Serie A ka zhvilluar 79 paraqitje me Kombëtaren. 34-vjeçari nga Prishtina la Torinon për më shumë minuta verën e 2023. Duket se Berisha kërkon të jetë në portë me Kombëtaren në "Gjermani 2024". Edhe ai ka kontratë deri verën e 2024 me Empolin.

Keidi Bare - 'Pitbulli' i Espanyol duket se do lëvizë nga katalanasit verën që vjen, pasi kontrata e tij skadon në datën 1 qershor 2024. Mesfushori pritet të jetë i ftuar nga Sylvinho për në Euro 2024.

Jasir Asani - Guangju në Korenë e Jugut duhet të jetë me fat që vlera e Jasir Asanit është dyfishuar në treg. Sulmuesi anësor ka shumë fansa në Europë, që janë të gatshëm për 1.2 milionë euro ta rikthejnë në Kontinentin e Vjetër.

Armando Broja - West Hami dhe Fulham në Premier League po ushtrojnë presion te Chelsea për të pasur në ekip sulmuesin 22-vjeçar. 30 milionë euro kërkojnë Blutë për të lënë të lirë shqiptarin.