Ka filluar edicioni i 4-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës "Sunny Hill", i cili organizohet nga Fondacioni "Sunny Hill", këngëtarja me famë botërore me origjinë nga Kosova Dua Lipa dhe babai njëherësh menaxheri i saj, Dukagjin Lipa.
E ftuara kryesore e këtij edicioni është këngëtarja e estradës amerikane me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, e cila performoi mbrëmë, në natën e parë të festivalit.
Interpretuesit tjerë janë: Burna Boy, Dj Snake, Stormzy, Black Coffee, The Blaze, The Martinez Brothers, po ashtu edhe këngëtarë të njohur kosovarë dhe shqiptarë.
Në festival po merr pjesë edhe këngëtarja Dua Lipa, por, nuk është paralajmëruar se do të këndojë.
Në vendin ku po mbahet festivali, janë ngritur tre skena, ndërsa anash janë vendosur ekrane gjigante për një shijim më të qartë të performancës së artistëve në skenë. Flamuj rozë janë vendosur për të promovuar fushatën e festivalit me moton "Një flamur për të", në shenjë solidariteti me gratë e Kosovës.
Për herë të parë ky festival po mbahet në Bërnicë të Poshtme, fshat rreth 7 kilometra nga Prishtina, në një vend të cilin Komuna e Prishtinës e ndau për këtë festival. Deri më tani festivali është mbajtur në Parkun e Gërmisë, në vitet 2018, 2019 dhe 2022. Për shkak të pandemisë së koronavirusit, festivali nuk u mbajt në vitin 2020 dhe 2001.
Organizatori Dukagjin Lipa pret që festivali i sivjetshëm të mbledhë nga 25 deri në 30 mijë vizitorë çdo natë ndërsa Komuna e Prishtinës ka ofruar transport falas me autobusë të qytetit për të gjithë pjesëmarrësit e festivalit.
Festivali "Sunny Hill" i cili është festivali më i madh muzikor në Kosovë dhe konsiderohet si një nga ngjarjet kryesore në Evropën Juglindore, do të mbahet nga 25 deri më 28 korrik./aa