Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se pas vizitave të javës së kaluar në Shqipëri dhe Serbi vendi i tij do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe me vendet e tjera të Ballkanit.
Në adresimin e tij ndaj kombit pas një takimi të kabinetit në Kompleksin Presidencial në Ankara, presidenti Erdoğan theksoi se kanë rritur kontaktet e jashtme për ta transformuar Türkiyen dhe rrethinat e saj në një ishull të paqes dhe stabilitetit në një periudhë jo-stabiliteti.
Në fjalën e tij, presidenti turk gjithashtu theksoi se tensionet në gjeografinë e Ballkanit kohëve të fundit kanë filluar të përshkallëzohen, duke shtuar se vizitat e tij në Shqipëri dhe Serbi javën e kaluar, respektivisht më 10 dhe 11 tetor, përmbajnë mesazhe shumë të rëndësishme në këtë drejtim.
Erdoğan tha se me Tiranën dhe Beogradin kanë përmirësuar më tej marrëdhëniet dypalëshe, me nënshkrimin e gjithsej 15 marrëveshjeve. Gjatë vizitës, shtoi ai, u takuan me një sërë grupesh të ndryshme, duke filluar nga bota e biznesit deri te komunitetet vëllazërore nga rajoni.
“Ishte kënaqësi e veçantë për mua të hap Xhaminë e Namazgjasë, xhamisë më të madhe në Ballkan, themelet e së cilës i hodhëm në vitin 2015. Me arkitekturën e saj të bukur, lokacionin e saj qendror në zemër të Tiranës, kapacitetin e saj për gjithsej 8 mijë njerëz dhe me veçori të tjera të saj, Xhamia e Namazgjasë është kthyer në një vepër krenare dhe frymëzuese. Edhe një herë, falënderoj z. Edi Rama dhe të gjithë ata që kontribuuan në hapjen e xhamisë sonë, nga arkitekti deri te inxhinieri”, tha presidenti Erdoğan.
Më tej, presidenti turk theksoi se së shpejti do të shihen “efektet pozitive në shumë fusha të takimeve shumë produktive” me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për dy miqtë e mi për mikpritjen që kanë treguar ndaj nesh dhe delegacionit tonë. Në këtë kontekst, ne do ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë me vende të tjera të gjeografisë ballkanike”, theksoi presidenti Erdoğan.
“Sulmet e fundit izraelite treguan se shqetësimet tona ishin të justifikuara”
Erdoğan gjithashtu kujtoi se ata ndanë me publikun sfidat e sigurisë me të cilat përballet Türkiye në hapjen e seancës së re legjislative.
“Zjarri që u ngjall nga sulmi izraelit në Gaza po përhapet në të gjithë rajonin nga qeveria aktuale izraelite, e cila po vepron me fanatizëm fetar. Që në ditën e parë pas 7 tetorit, shpesh theksuam se çështja nuk është Gaza, as Hamasi, por qëllimi i vërtetë është të vazhdohet me politikën pushtuese. Ne thamë se Izraeli nuk do të ndalet në Gaza dhe se do t’i kthejë sytë drejt vendeve të tjera të rajonit”, tha Erdoğan.
Ai shtoi se për shkak të këtyre paralajmërimeve, “ne jemi ekspozuar ndaj kritikave të pajustifikuara nga disa miq dhe qarqe të caktuara” në Türkiye.
“Disa na akuzuar për hamendje dhe ekzagjerim të krizës. Kishte nga ata që na akuzuan se po e përdorim politikën e jashtme si mjet për politikën e brendshme. Megjithatë, sulmet e fundit të nisura nga Izraeli në Liban kanë treguar edhe një herë se sa të justifikuara janë shqetësimet tona”, theksoi ai.
“Shqetësuese për sistemin global kur OKB-ja nuk mund të mbrojë personelin e saj nga sulmet izraelite”
Presidenti Erdoğan foli edhe për çështjet aktuale globale, duke theksuar se deklaratat që vijnë nga kabineti i qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, tregojnë qartë se Izraeli nuk do të jetë i kënaqur vetëm me pushtimin e Libanit.
“Fakti që administrata izraelite është bërë aq arrogante sa të sulmojë dhe kërcënojë edhe Forcën e Përkohshme Paqeruajtëse të OKB-së në Liban, mjafton për të vërtetuar seriozitetin e kësaj çështje për ata që dyert e mirëkuptimit janë ende të hapura", tha presidenti Erdoğan.
Ai theksoi se është shqetësuese për sistemin ndërkombëtar kur OKB-ja nuk mund të mbrojë personelin e saj nga sulmet e Izraelit në Liban. Ai i bëri thirrje organit global për të vepruar kundër Tel Avivit.
“Imazhi i OKB-së, i cili nuk mund të mbrojë as personelin e vet, është një burim turpi dhe shqetësimi për sistemin ndërkombëtar. Sinqerisht, edhe ne pyesim veten se çfarë pret Këshilli i Sigurimit për të ndaluar Izraelin. A mund ta imagjinoni...”, tha presidenti Erdoğan.
Ai tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së “thjesht vëzhgon aktet e banditizmit” të Izraelit kundër paqeruajtëve të OKb-së në Liban (UNIFIK). Këtë veprim të organit global, presidenti turk e quajti “pafuqi”.
Sipas misionit të OKB-së në Liban, tanket izraelite dje hyrën me forcë në bazën e saj, duke shënuar shkeljen e fundit izraelite kundër forcave paqeruajtëse.
“Qeveria izraelite, që ndjek ambiciet sioniste, nuk do t’i ndalë sulmet e saj”
Presidenti turk gjithashtu theksoi se qeveria izraelite, e cila ndjek ambiciet sioniste, nuk do t’i ndalë sulmet e saj për sa kohë që merr mbështetje të pa rezervë nga SHBA-ja dhe Evropa.
“Ministrat tanë të punëve të jashtme dhe të mbrojtjes shpjeguan qëllimin, synimin dhe planin kryesor në seancën e mbyllur të parlamentit. Pavarësisht brutalitetit pas 7 tetorit, ne e dimë se çfarëdo që të bëjmë, nuk mund t’i detyrojmë të pranojnë disa fakte ata që mbyllin sytë para kërcënimit”, tha ai.
Më tej, Erdoğan theksoi se nuk kanë harruar që ata që “sot veprojnë si zëdhënës të Izraelit” kanë përdorur të njëjtat fjali në të kaluarën për degën siriane të organizatës separatisto-terroriste. Këta, sipas presidentit turk, janë të njëjtët që reaguan më shumë ndaj operacioneve turke në veri të Sirisë dhe Irakut, të cilat kishin për qëllim eliminimin e kërcënimit terrorist.
Ai shtoi se “nuk është aspak çudi” që po të njëjtat grupe po përpiqen të minojnë luftën e Türkiyes kundër “bandës tradhtare të FETO-s”.
“Çështja këty nuk ishte kurrë burimi i kërcënimit, por fakti se aftësia për të perceptuar ishte mbyllur plotësisht. Ata jetojnë në një botë të tillë ëndrrash saqë janë shkëputur nga realiteti i Türkiyes dhe nuk janë në gjendje të ndjekin rajonin tonë dhe botën. Në vend që t’i shohin zhvillimet nga një perspektivë e orientuar drejt Türkiyes, ata nuk mund të shpëtojnë veten nga sëmundja në të cilën për to Perëndimi është në qendër”, tha Erdoğan.
“Ne jemi të vetëdijshëm se sa më e madhe është fuqia jonë parandaluese si vend, aq më e madhe është aftësia jonë për t’u mbrojtur nga zjarri në rajon. Ne jemi të vendosur ta nxjerrim Türkiyen të sigurt nga kjo krizë e trazuar që ka shkatërruar të gjithë rajonin tonë”, shtoi ai./aa