Dy automjete të komunës së Zveçanit janë djegur pjesërisht gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së premte. Automjetet kanë qenë të parkuara përpara ndërtesës së komunës së Zveçanit. 

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, thotë për A2 CNN se ngjarja ka qenë e qëllimshme, ndërkohë që janë duke u zhvilluar hetimet.

Kjo nuk është hera e parë që në veri të Kosovës ka akte të tilla kriminale. Elshani thotë se në këtë rast policia ka qenë shumë pranë kontaktit fizik me agresorët, të cilët në disa raste kanë qenë edhe të mitur.

Zveçani është një nga katër komunat në veri të Kosovë që janë të banuara me shumicë serbe, ku dhe më herët nuk kanë munguar incidentet. Megjithatë, Policia e Kosovës aktualisht ndodhet në të gjithë territorin duke kryer patrullime.

Kjo nuk është hera e parë që në veri të Kosovës bllokohen pika karburanti. Gjatë kësaj jave, por edhe më parë u mbyllën përkohësisht 5 pika karburanti në veri të Kosovës. Që të pesë pikat e karburantit kishin logon “NIS Petrol”, që është nën pronësi të Gazpromit rus./Tema