Ka dhënë deklaratën e tij në polici 68-vjeçari grek, i cili ekzekutoi me armë gjahu një 40-vjeçar shqiptar mesditën e së premtes në Pire të Greqisë.

 

Ngjarja ndodhi pranë një parkingu ku punonte viktima, ndërsa mësohet se mes 40-vjeçarit shqiptar dhe shtetasit grek ka pasur konflikte të vazhdueshme.

 

Pas debatit mes tyre, autori ka shkuar në banesën e tij, mori armën dhe u kthye tek parkingu ku qëlloi dy herë me plumb në kokë babain e tre fëmijëve.

 

“Mbarova me ty”, iu drejtua ai 40-vjeçarit dhe më pas është rikthyer në banesë ku ka pritur policinë për ta arrestuar.

 

Në dëshminë për policinë, autori është shprehur: “Kishim përplasje prej disa vitesh. Makinat i vendosnin në parking dhe në trotuar, bllokonin rrugën. E kisha shprehur disa herë indinjatën time, s’doja që të përfundonte kështu.”

 

Sipas dëshmitarëve konfliktet mes 68-vjeçarit dhe viktimës, si edhe me fqinjët e tjerë ishin thuajse të përditshme.