Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Türkiyes tha sot se kreu të premten sulme ajrore në rajonet Gara, Qandil dhe Asos të Irakut verior, duke shkatërruar 25 objektiva që i përkisnin grupit terrorist PKK.
“Për të neutralizuar PKK/KCK-në dhe elementë të tjerë terroristë, për të penguar sulmet terroriste kundër popullit tonë dhe forcave të sigurisë me origjinë nga Iraku verior dhe për të garantuar sigurinë tonë kufitare, një operacion ajror u krye më 26 korrik 2024”, thuhet në njoftim.
Objektivat përfshinin shpella, strehimore, bunkerë, depo dhe objekte, “të cilat u vlerësuan se strehonin terroristë të nivelit të lartë”, tha ministria.
“Forcat e Armatosura Turke, të cilat burojnë nga zemra fisnike e kombit tonë, do të vazhdojnë të luftojnë terrorizmin me vendosmëri për sigurinë dhe mbijetesën e vendit dhe popullit tonë deri në neutralizimin e terroristit të fundit”, shtoi ajo.
Ministria theksoi se janë marrë të gjitha masat e nevojshme “për të siguruar që njerëzit e pafajshëm, elementët miqësorë, pasuritë historike dhe kulturore dhe mjedisi të mos dëmtohen”, në operacione.
“Një numër i konsiderueshëm terroristësh u neutralizuan duke përdorur një përqindje të lartë të municioneve vendase dhe kombëtare në këtë operacion”, thuhet në njoftim.
Në fushatën e saj terroriste gati 40-vjeçare kundër Türkiyes, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe BE-ja, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e më shumë se 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja./aa