Shefi i Mbrojtjes së Gjermanisë, Carsten Breuer deklaroi se vendi i tij "duhet të jetë gati për luftë" brenda 5 viteve.
Në një intervistë për gazetën "Welt am Sonntag", Breuer tha se "përgatitja për luftë" është një proces. "Por, nuk kemi kohë pa fund sepse që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë e deri më tani për herë të parë po diktohet nga jashtë një luftë ndaj nesh. Kur ndjek analistët dhe kur shoh potencialin kërcënues ushtarak që buron nga Rusia kjo për ne do të thotë 5 deri në 8 vite përgatitje", tha ai.
Sipas tij, kjo nuk do të thotë se atëherë do të shpërthejë luftë. "Por, kjo është e mundur dhe unë për shkak se jam ushtarak them se duhet të jemi gati për luftë brenda 5 viteve", tha Breuer.
Në pyetjen se sa të lartë e sheh ai mundësinë e zgjerimit të presidentit rus Vladimir Putin përtej Ukrainës, shefi gjerman i Mbrojtjes theksoi se "Para së gjithash, kjo përfshin qëllimin. Këtë e shoh në ato që shkruan dhe thotë Putini si dhe nga veprimet në Ukrainë. Në këtë përfshihet edhe potenciali ushtarak. Kemi parë se Rusia kaloi në një ekonomi luftarake me vendimin e Dumës. Tani probabiliteti po rritet".
Duke thënë se ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius zgjoi njerëzit kur foli për herë të parë për të qenë gati për luftë, Breuer tha se në fund të fundit çështja është vetëmbrojtja dhe që kundërshtari të mos marrë vendim për të sulmuar.
"Edhe ky është parandalim" tha Breuer duke shtuar se të qenit gati për luftë kërkon një ndryshim mentaliteti.
"Ka shumë gjëra për të qenë gati për luftë. Përveç asaj që personeli dhe materiali të jetë gati për detyrë, ne duhet të kalojmë edhe nëpër një ndryshim mentaliteti. Ka nevojë për transformim mendor si në shoqëri ashtu edhe kryesisht në mentalitet në ushtrinë gjermane", tha Breuer.
Lidhur me pyetjen nëse ka kontribute që Gjermania ka premtuar (në NATO) por do t'i përmbushë më vonë se sa ka premtuar, Breuer tha "Po ka, por nuk do t'i përmend ato. Kjo është sekrete për arsye të mira. Armiku merr informacion nga të gjitha burimet e mundshme, duke përfshirë gazetat".
Ai vuri në dukje se Forcat e Armatosura të Gjermanisë janë në një ndryshim ashtu si NATO.
- Gjermania mori vendim për të rritur në masë të madhe shpenzimet e mbrojtjes
Pas Luftës Rusi-Ukrainë, Gjermania mori vendim për të rritur ndjeshëm shpenzimet e saj të mbrojtjes dhe krijoi një fond special prej 100 miliardë eurosh për të blerë sisteme të avancuara të armëve dhe për të modernizuar forcat e armatosura të vendit.
Qeveria nënshkroi kontrata të shumta, përfshirë blerjen e avionëve luftarakë F-35 të prodhimit amerikan, helikopterëve transportues "Chinook" dhe sistemin e mbrojtjes raketore "Arrow-3" të prodhuar nga Izraeli./aa