Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se nuk do të mund t'u japin përgjigje thirrjeve për armëpushim nëse Rusia vazhdon sulmet e saj në territorin e vendit të tij dhe se ata si Ukrainë do të zhvillojnë një plan veprimi për paqen deri në fund të nëntorit.

Në një intervistë për televizionin publik japonez NHK, Zelenskyy tha se mbështetja për Ukrainën dhe presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojnë për një përfundim të drejtë të luftës.

"Durimi, mbështetja (për Ukrainën) dhe presioni diplomatik (për Rusinë), këta janë tre faktorët për një përfundim të drejtë të luftës. Nëse SHBA-ja dhe vendet evropiane ruajnë unitetin, kjo do të krijojë presion shtesë dhe do t'i tregojë Moskës se nuk ka asnjë shans", tha presidenti ukrainas.

Duke përmendur çështjen e përfundimit të luftës përmes negociatave, Zelenskyy tha se ata nuk do të mund t'u përgjigjen thirrjeve për armëpushim nëse Rusia vazhdon sulmet e saj në territorin ukrainas.

Ai thekson se do të fillojë negociatat e detajuara me vende të ndryshme për integritetin territorial të Ukrainës dhe nënvizoi se deri në fund të nëntorit do të zhvillojë një plan veprimi për paqen.

Pasi kujtoi se edhe në bisedën telefonike me ish-presidentin amerikan dhe kandidatin republikan për president Donald Trump, diskutuan për luftën që vazhdon në Ukrainë, Zelenskyy tha: "Nëse i nderuari Trump dëshiron të mësojë diçka për Ukrainën, ai mund të vijë dhe ta shohë vetë ose të më pyesë mua".

Zelenskyy potencoi rëndësinë e mbështetjes që Japonia si anëtare e G7-ës jep për vendin e tij. "Ajo u bë vendi i parë joanëtar i NATO-s që nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë me Ukrainën", tha ai./aa