Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak për tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve në qarkun Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.

Sipas njoftimit për mediat, referuar strukturës së tregut, integrimit vertikal, sjelljes së ndërmarrjeve grumbulluese dhe diferencave të mëdha në zinxhirin e vlerës së produktit nga prodhuesit, grumbulluesit, shitësit me shumicë deri tek konsumatori fundor, mund të jemi para nje sjelljeje antikonkurruese si pasojë e marrëveshjeve dhe/ose praktikave të bashkërenduara ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve që operojnë në tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta-perimeve.

Hetimi paraprak përfshin periudhën kohore nga 1 Janar 2023 deri në 31 Maj 2024. Shpesh çmimet e produkteve bujqësore në tregun vendas kanë qenë tepër të larta, ndërsa shitësit e pakicës fajësonin ata të shumicës.

Gjatë vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës realizoi 15 monitorime dhe kryer 8 procedura hetimore në tregjet me pozitë dominuese/koncensionet, duke arkëtuar në total 46.2 milionë lekë nga procedurat e përqendrimeve dhe gjobat./Tema