Qeveria po pregatitet që të ketë një jetëzim dhe konkretizim të reformës së pensioneve. Ky është mesazhi i fjalës së ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja në Kongresin e Partisë Socialiste. Më tej ai theksoi se po punohet që mos të ketë më pensione nën 150 euro.

“Duke filluar nga domosdoshmëria për një rritje më kuptimplotë të pensioneve se sa rritjet shumë të vogla të këtyre viteve.

Por fatmirësisht sot, pikërisht ekonomia na ka krijuar më shumë mundësi se sa kishim deri dje, për të guxuar edhe me pensionet, të cilat padiskutim janë edhe pjesa më sfiduese e politikës ekonomike të një vendi në zhvillim si Shqipëria.

Ne po punojmë për këtë dhe do të nisim të hedhim hapat e duhur, që në rrugën drejt Shqipërisë 2030 të mos ketë më pension nën 150 euro. Reforma e re e pensioneve do të marrë rrugë vitin e ardhshëm dhe frutet e saj do të shihen padiskutim në dy deri tre vitet e ardhshme”, tha ai.

Sipas ministrit Gonxhja, vitin e ardhshëm pritet një reformë e re pensionesh:

“Reforma e re e pensioneve do të marrë rrugë vitin e ardhshëm dhe frutet e saj do të shihen padiskutim në dy deri tre vitet e ardhshme. Gjithashtu së shpejti do të ndryshojë ndjeshëm edhe shërbimi i pensioneve dhe do të marrë fund praktika e çuarjes së pensioneve me zarfa nëpër shtëpi.”

Banka Botërore dhe qeveria shqiptare po bëhen gati të vënë në jetë një reformë të re dedikuar penisoneve, ku përmes katër shtyllave kryesore synon të ketë më shumë qëndrueshmëri dhe të sjellë të ardhura më të larta për pensionistët./Dita