Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka çelur thirrjen e dytë për rekrutimin e elektriçistëve të rinj me qëllim rivitalizimin e kompanisë dhe rritjen e kapaciteteve të stafit të kualifikuar.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se në fazën e dytë parashikohet punësimi i 240 elektriçistëve të rinj pranë OSHEE-së.
Kryeministri theksoi se çdo i ri ose e re, nga mosha 18 deri në moshën 35 vjeç, mund të aplikojë për të qenë pjesë e kompanisë në të 12 drejtoritë rajonale në të gjithë vendin.
Aplikimet do të jenë të hapura për 30 ditët e ardhshme.
Në tetor të vitit 2023 Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) hapi fazën e parë për punësim për 309 elektriçistë të rinj në të 12 rajonet e vendit./ata