Në Spitalin Qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë janë gati ambientet e reja të njësive të trajtimit ditor.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga mjediset e rilindura të njësive të trajtimit ditor pjesë e Spitalit Qendror në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza’’.

“Të pajisura me teknologji të fundit, këto mjedise janë gati për të dhënë një shërbim shëndetësor cilësor për rreth 65,000 pacientë që kanë nevojë për shërbime si dializë, toksikologji, alergologji, dermatologji, reumatologji dhe hematologji”, u shpreh Rama.

Spitali Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në shëndetësi në 30 vitet e fundit. Ky spital ka kapacitet 345 shtretër dhe ka 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, reumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria./ata