Një ndërhyrje e kompleksitetit të lartë është realizuar me sukses nga personeli i Shërbimit të Kirurgjisë Otorinolaringologjike në Spitalin Rajonal Memorial Fier, tek një pacient 55 vjeçar.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.
“Falë diagnostikimit në kohë nga mjekët specialist të shërbimit ambulator, u realizua në kohë ndërhyrja e vështirë kirurgjikale në regionin e gjendrave të pështymës (Parotis) tek një pacient me sëmundje malinje neoplazike. Pacienti gëzon shëndet të mirë”, tha Koçiu.
Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen për ekipin e mjekëve kirurgë ORL, dr. Suat Albayrak, dr. Migena Gjura, dr. Mario Shehu, si dhe personelit infermieror që asistuan gjatë ndërhyrjes otorinolaringologjike, Renato Zeneli, Denisa Paja.
Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e Jugut. Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.
Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë./ata