Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abbas, njoftoi se ka shpallur një ditë zie për shkak të atentatit të kryer ndaj kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Në lajmin e agjencisë zyrtare palestineze WAFA theksohet se presidenti Abbas ka kërkuar që dita e sotme të shpallet ditë zie edhe flamujt të ulen në gjysmë shtizë për ish-kryeministrin Haniyeh.
Edhe në një deklaratë të bërë nga qeveria palestineze thuhet se "Dënojmë atentatin e pabesë kundrejt ish-kryeministrit dhe liderit patriot Haniyeh".
Në deklaratë u bëhet thirrje popullit si dhe grupeve palestineze që të rrisin unitetin kombëtar kundër sulmeve të Izraelit.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Nisma Kombëtare Palestineze, Mustafa Barghouti, në një deklaratë ka shprehur "Dënojmë këtë krim të neveritshëm të ushtrisë pushtuese".
"Kjo vrasje e tmerrshme do të forcojë edhe më shumë popullin palestinez dhe rezistencën e tij. Populli palestinez humbi sot një lider luftëtar (muxhahid) hero. Ky lider i jepte rëndësi të madhe mbrojtjes së interesave të popullit palestinez dhe sigurimit të unitetit të tij kombëtar" tha Barghouti.
- Atentati ndaj liderit të Hamasit
Haniyeh ndodhej në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Iranit, Masoud Pezeshkiyan.
Ushtria e Gardës Revolucionare e Iranit në një deklaratë mëngjesin e 31 korrikut, njoftoi se ndaj Haniyeh është kryer sulm në rezidencën ku ai po qëndronte në Teheran.
Për atentatin, Irani dhe Hamasi mbajtën përgjegjës Izraelin ndërsa zyrtarët izraelitë janë shmangur nga deklarata lidhur me ngjarjen. Haniyeh u zgjodh kryetar i Byrosë Politike të Hamasit nga Këshilli Shura i Hamasit më 6 maj 2017, duke zëvendësuar Khaled Mashalin./aa