Koreja e Jugut qëlloi me armë zjarri pasi Koreja e Veriut shpërtheu pjesë të rrugëve që lidhin dy Koretë, duke përshkallëzuar tensionet në Gadishullin Korean.
Koreja e Veriut shpërtheu pjesë të rrugëve Gyeongui dhe Donghae në veri të Linjës së Demarkacionit Ushtarak (MDL), e cila shërben si kufi midis dy vendeve, njoftoi Yonhap News me seli në Seul, duke cituar ushtrinë e Koresë së Jugut.
Koretë janë të lidhura me këto rrugë kryesore. Linja Gyeongui lidh qytetin perëndimor të Koresë së Jugut Paju me qytetin Kaesong të Koresë së Veriut dhe Linja Donghae shtrihet përgjatë bregut lindor.
Javën e kaluar, Koreja e Veriut raportohet se paralajmëroi forcat amerikane të stacionuara në Korenë e Jugut se synonte të shkatërronte pjesë të këtyre rrugëve ndër-koreane që çojnë në jug, duke shënuar një përshkallëzim të pazakontë në retorikë.
Rritja e fundit e tensioneve vjen pas akuzës së Koresë së Veriut se Koreja e Jugut fluturoi drone pa pilot mbi Phenian-in në fillim të këtij muaji. Si kundërpërgjigje, udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un u informua mbi situatën nga zyrtarët e mbrojtjes dhe sigurisë të hënën, gjatë së cilës ai urdhëroi "veprime të menjëhershme ushtarake".
Sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut, Kim përshkroi planet e "veprimit të menjëhershëm ushtarak" dhe dha direktiva për forcimin e "parandalimit të luftës" dhe ushtrimin e "të drejtës për vetëmbrojtje për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat kombëtare".
Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, fillimisht mohoi çdo inkursion ushtarak me dron, ndërsa më pas autoritetet ushtarake të Koresë së Jugut thanë se nuk mund të konfirmonin vlefshmërinë e pretendimeve të Koresë së Veriut./aa