Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takoi krerët e partive parlamentare të Kosovës për të diskutuar mbi caktimin e datës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në takimin që u mbajt në Presidencë, morën pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj. Mimoza Kusari-Lila përfaqësoi partinë Alternativa, kurse Faton Peci “Listën GUXO”. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e disa partive të minoriteteve, ndërsa partia më e madhe serbe, Lista Serbe, nuk mori pjesë në takim.

Osmani në një konferencë për media pas takimit me përfaqësuesit e partive politike tha se diskutuan katër data për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta të ardhshme parlamentare, respektivisht 26 janarin, 2 shkurtin, 9 shkurtin dhe 16 shkurtin.

Presidentja tha se me partitë politike u pajtuan që ta bëjnë analizën e të gjitha datave, por ende nuk kanë vendosur për një datë. Ajo nuk përjashtoi mundësinë që të shkohet edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Sa i përket zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mundësia ligjërisht akoma ekziston. Pra caktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta, ligjërisht nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Megjithatë, shpërndarja e Kuvendit, siç e dini tashmë, kërkon 2/3 e votave e më shumë dhe se a kanë disponim partitë politike të përfaqësuara në Kuvend ta bëjnë një gjë të tillë apo jo, kjo është çështje e tyre, por sot nuk u duk një disponim i tillë, megjithatë nëse ndryshon diçka do ta kuptojmë të gjithë”, theksoi Osmani.

Në takimin e sotëm me presidentin Osmani nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues i partisë në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, shprehu vullnetin për pjesëmarrje në takim, mirëpo u refuzua për shkak se në takim ishte kusht që të merrnin pjesë vetëm kryetarët e partive.

Presidentja Osmani tha se nuk i di arsyet e mungesës së kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ajo u sugjeroi gazetarëve të shkonin dhe ta pyesnin vetë Kurtin pse nuk u paraqit.

Zgjedhjet e fundit parlamentare u mbajtën më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 50 për qind të votave.

Për herë të parë që nga paslufta në Kosovë, një parti politike arrin që të qëndrojë në një mandat qeverisës deri në fund./aa