Tymi, era e keqe dhe djegia e mbetjeve në mjedis të hapur në shkelje të çdo rregulli ligjor, po sjellin pasoja të rënda për ekonominë, sidomos në turizëm, por edhe më serioze për shëndetin e banorëve. Në një auditim të kryer nga KLSH në katër bashki të vendit, Vlorë, Durrës, Shkodër dhe Korçë është arritur në konkluzionin se kanë dështuar me trajtimin e mbetjeve, që nga parandalimi i krijimit të tyre, tek krijimi i vështirësive financiare në menaxhimin e tyre e deri tek ekspozimi i qytetarëve ndaj rrezikut të sëmundjeve të ndryshme.
KLSH thotë se më problematike paraqitet situata në Vlorë, nga ku morën edhe iniciativën për këtë auditim, për shkak të zjarreve të përsëritura në fushën e mbetjeve të qytetit, e fundit vetëm pak ditë më parë.
“Në këtë bashki mbetjet urbane digjen në mjedis të hapur duke shkaktuar problematika të rëndësishme në shëndet dhe mjedis që vijnë nga çlirimi i dioksinave dhe furaneve në mjedis”, thotë KLSH në auditim duke listuar edhe lloje të ndryshme sëmundjesh që vijnë nga ekspozimi i gazrave që po çlirohen nga djegia e mbetjeve në Vlorë. (shkakton lloje të ndryshme të kancerit, probleme të mëlçisë, dëmtime të sistemit imunitar, sistemit endokrin dhe funksioneve riprodhuese si dhe efekte negative në zhvillimin e sistemit nervor.)
Po sipas KLSH, kjo situatë e përsëritur në tre vitet e fundit ka sjellë edhe pasoja ekonomike duke ndikuar në zhvlerësimin e pronave në afërsi të fushës së vend depozitimit të mbetjeve urbane në qytetin e Vlorës.
Ky vendgrumbullim më i madhi në bashkinë e Vlorës thotë KLSH është 50 metra larg banesave, ndërkohë që ngjitur me të kalon një përrua nëpërmjet të cilit lëngjet derdhen në det, rreth 1,500 m larg.
“Lëngu i prodhuar nga mbetjet shkakton ndotje të tokës si edhe të ujërave nëntokësore dhe ujërave sipërfaqësore; gazi që çliron vendgrumbullimi përhapet direkt në atmosferë”, vijon më tej KLSH.
Pas Vlorës, shqetësuese është serioze edhe në Durrës, ku menaxhimi i mbetjeve përveç se nuk është realizuar, është shpenzuar për këtë çështje afro 30% e totalit të buxhetit të bashkisë. Kostot e kësaj bashkie janë shtuar më shumë pas nisjes së transportit të plehrave për në Sharrë.
“Bashkia Durrës gjatë menaxhimit të mbetjeve urbane nuk garanton qëndrueshmëri financiare të këtij procesi, pasi të ardhurat e krijuara për këtë qëllim nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Arsyeja kryesore e mos mbulimit të shpenzimeve është ndryshimi i venddepozitimit të tyre në landifillin e Sharrës. Kjo gjë ka rritur ndjeshëm peshën që zë menaxhimi i mbetjeve në buxhetin total të bashkisë. Rreth 1/3 ose rreth 30 % e buxhetit të Bashkisë së Durrësit shkon për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që referuar Kombeve të Bashkuara ky tregues duhet të jetë në nivelet 3-15 %”, vijon më tej KLSH.
KLSH thotë se depozitimi i mbetjeve të Durrësit në sharrë me 29 euro/ton është 3 herë më shumë se bashkitë e tjera. Ndërsa situata me trajtimin e mbetjeve në Korçë dhe në Shkodër është më pak problematike, pasi kostoja në buxhet është më e ulët, por gjithsesi as këto nuk kanë zbatuar detyrimet për menaxhimin e plehrave.
“Këto bashki nuk kanë garantuar menaxhim të integruar të mbetjeve urbane duke mos zbatuar hierarkinë e mbetjeve në drejtim të parandalimit, ripërdorimit, reduktimit dhe riciklimit”, thotë KLSH, në auditimin e kryer për periudhën 2020- 2023./Shqiptarja