Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi vijoi takimet me qytetarët dhe bizneset në lagje e rrugë të ndryshme të kryeqytetit.

 

Këtë fundjavë, Këlliçi u ndal në zonën e “Tregut Ushqimor”, ku dëgjoi nga afër ankesat dhe problemet me të cilat po përballet biznesi i vogël në kryeqytet.

 

Shqetësimeve të biznesit, Belind Këlliçi iu pëgjigj duke prezantuar paketën e uljes së taksave dhe tarifave vendore, të cilat do të jenë ndihmë për biznesin, për të cilat u shpreh se janë të realizueshme.

 

“Po mirë a e kuptojnë që duhet ndryshuar kjo gjë? Nuk mund të ankohen pafundësisht dhe të mos ndërrosh gjë. Më janë turrur mua se kam bërë premtimin për autobusët pa lekë: këtu nuk përfiton njeri, kjo nuk i intereson kurrkujt, etj etj! Ndërkohë që njerëzit janë për bukë goje. Tregu këtu është gjithë ditën nuk ka njeri këtu me çfarë po pyes, edhe ata që janë nuk kanë lekë. Bëhen, janë me këmbë në tokë, dhe janë të realizueshme”, u shpreh ai.

 

Takimet e Belind Këlliçit me qytetarët, vijuan edhe përgjatë rrugës së Kavajës, ku dëgjoi nga afër shqetësimet e tyre, që lidhen kryesisht me problemet në infrastrukturë dhe asfaltin elektoral.

 

Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Belind Këlliçi kërkoi mbështetjen e tyre, që në 14 maj të votojnë për të larguar me votë Erion Veliajn nga drejtimi i Tiranës, për të sjellë një model të ri në qeverisje dhe për t`i hapur rrugë ndryshimit në kryeqytet.