87 vjet më parë u nda nga jeta Ndre Mjeda. Ai ishte klerik, atdhetar, filolog, poet dhe aktivist i madh i Rilindjes Kombëtare. Lindi më 20 nëntor të vitit 1866 në Shkodër dhe si i ri me intelekt të zhvilluar dhe tejet i talentuar, tërhoqi vëmendjen e jezuitëve, të cilët menduan ta bënin prift.

Mjeda i vazhdoi studimet fetare në Spanjë, Itali e Poloni. Më 1883 studioi në Kroaci retorikë, latinisht dhe italisht. Nga viti 1884 deri në fillim të vitit 1887 ishte në një kolegj që drejtohej nga Universiteti Gregorian i Romës, kurse më 1887 u transferua në një kolegj tjetër gregorian në Kieri.

Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit, bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin, si përfaqësues i Shkodrës dhe mbështeti variantin e shkronjave latine. U zgjodh anëtar i Komisionit për Hartimin e Alfabetit të Njësuar të Shqipes dhe anëtar i Komisisë Letrare Shqipe.

Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike, Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas ndryshimeve politike në vitin 1924 u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Nga viti 1930 qe mësues i gjuhës dhe letërsisë shqiptare në kolegjin jezuit në Shkodër, ku edhe vdiq më 1 gusht të 1937.

Ndërkaq Ndre Mjeda është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të parë romantik e djaloshar, ai krijoi poemën e mallit e të dhembjes personale “Vaji i bylbylit”.

Me njohjen e jetës autentike të botës shqiptare, krijoi poemën e botës shqiptare “Andrra e jetës”. Me kërkimet për njohjen e rrënjëve kulturore e historike, krijoi tufat e tingëllimeve “Lissus, Scodra”. Poezia e tij shënoi kalimin nga letërsia e Rilindjes romantike, me problematikë kryesisht atdhetare, te letërsia e Pavarësisë, ku mbizotëroi problematika shoqërore dhe realizmi. Pak muaj para vdekjes, botoi si testament poetik të rrallë për bukuri e forcë, poemthin “Liria“.

Po ashtu, ai dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë me studime në fushën e gramatikës dhe leksikologjisë./ata