Maturantet kanë afat deri më 4 gusht për të aplikuar në universitet, duke plotësuar formularin A2 me 10 degët preferenciale.
Në një interviste televizive, Arjan Xhelajt, drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, tha se konfirmimin e të dhënave në sistem e kanë bërë rreth 20 mijë maturantë dhe se të drejtën të aplikojnë për sistemin bachelor e kanë ata maturantë që kanë mesatare mbi 6.5, ndërsa ata që e kanë më poshtë mund të aplikojnë për sistemin profesional 2-vjeçar.
“Kemi mbi 10 mijë maturantë të cilët kanë aplikuar dhe i kanë shprehur preferencat e tyre, që është një shifër shumë e mirë sepse mbi 50% e maturantëve kanë aplikuar tashmë. Ne kemi rreth mbi 20 mijë maturantë që kanë shprehur dëshirën për të vijuar studimet. Oferta akademike është mëse e gjerë, kemi 660 programe studimi ne ciklin e parë që janë programet profesionale, ato bachelor dhe të integruara. Numri i kuotave është rreth 30 mijë, përgjithësisht çdo vit universitet përgatiten me atë numër kuotash aq sa është numri i atyre që plotësojnë formularin A1-A1Z. Pastaj duke parë ecurinë e viteve regjistrimet lëvizin diku te 22 mijë ose 23 mijë”, tha Xhelaj.
Sipas Xhelajt, edhe maturantët ekselentë kanë zgjedhur të studiojnë në Shqipëri.
“Maturantët ekselentë me mesatare 9.5-10, rreth 90% ose edhe pak më shumë janë konfirmuar në sistem, që do të thotë se ato kanë shprehur dëshirën për të vijuar studimet në Shqipëri, pastaj procesi do të tregojë më tej se si vijojnë regjistrimet e tyre. Për 5 deri në 10 vjet kemi një përqindje të mirë të maturantëve, gepi më i madh është diku poshtë mesatares 6.5, krahasuar me ata që janë A1Z që nuk janë konfirmuar në sistem edhe që mbase nuk i vazhdojnë më studimet akademike dhe është normale pasi jo të gjithë i vazhdojnë”, u shpreh Xhelaj.
Maturantët që kanë zgjedhur të studiojnë në ato degë që kanë konkurs, listat dhe afatet do t’i gjejnë pranë fakulteteve përkatëse.
“Universitetet të cilat kanë konkurse, teste fillojnë shkarkimin e listave dhe do të bëjnë publike brenda datës 6 listat e maturantëve dhe data kur do të jenë konkurset që do të thotë se universitete si mjekësia që ka testin e informatizuar, sportet, artet dhe arkitektura që ka gjithashtu test”, theksoi ai.
Fituesit në universitet do të shpallen më 27 gusht, ndërsa regjistrimet e fituesve pranë sekretarive mësimore do të bëhen nga data 30 gusht deri më 13 shtator./ata