Në një artikull të publikuar në gazetën izraelite "Haaretz" thuhet se vrasja e kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismali Haniyeh, tregon se çështja e shkëmbimit të pengjeve nuk është në axhendën kryesore të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.
Në artikullin e shkruar nga Amos Harel, përveç vrasjes së Haniyeh, vrasja e Fuad Shukur një nga komandantët e lartë të Hezbollahut në një sulm në Bejrut të Libanit si dhe pretendimi nga qeveria izraelite për vrasjen e Mohammed al-Daif, liderit të Brigadës Izzeddin Kassam, krahut të armatosur të Hamasit, u komentuan se kanë shkaktuar trazira të reja në rajon.
Izraeli po përgatitet ndaj kundërpërgjigjes që mund të vijë nga Irani, Hezbollahu dhe rajonet e tjera, thuhet në artikullin ku vihet në dukje se duke marrë parasysh zhvillimet aktuale në rajon, shanset për të arritur marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve mes Tel Avivit dhe Hamasit janë pothuajse zero.
Artikulli vë në dukje se kundërpërgjigjet e mundshme mund të zgjasin "disa ditë" dhe se Izraeli pritet të japë përgjigje ndaj tyre me kundërsulm.
Në artikull tërhiqet vëmendja se vrasja e Haniyeh erdhi gjatë një periudhe kur negociatat indirekte për shkëmbimin e të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit po vazhdonin. "Është e qartë se kryeministri Netanyahu ka axhendën e tij dhe se kthimi i pengjeve në shtëpi nuk është axhenda e tij më e rëndësishme", theksohet në artikull.
Netanyahu ka vepruar "me dy fytyra" komentohet në artikullin në të cilin shpjegohet se kryeministri izraelit u tha familjeve të të burgosurve në SHBA javën e kaluar se kishte përparim në bisedime, por menjëherë pas kësaj deklarate ai ofroi kushte të reja që do të vendosnin marrëveshjen në ngërç./aa