Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu do të adresohet në një sesion të përbashkët të Kongresit Amerikan më 24 korrik.
"Ne mezi presim të dëgjojmë vizionin e qeverisë izraelite për mbrojtjen e demokracisë, luftimin e terrorit dhe vendosjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në rajon", shkroi Johnson në platformën sociale X.
Katër udhëheqësit kryesorë të Kongresit, Johnson, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries dhe udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, javën e kaluar ftuan zyrtarisht Netanyahun për të mbajtur një fjalim në Kongres.
Senatori Bernie Sanders tashmë ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në fjalimin e "kriminelit të luftës" Netanyahu.
"Netanyahu është një kriminel lufte. Ai nuk duhet të ftohet për të folur në një takim të përbashkët të Kongresit. Unë sigurisht që nuk do të marr pjesë", tha Sanders./aa