Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Ivi Kaso akuzoi kryeministrin Rama për grabitjen e 22.4 hektarëve tokë në Vuno. Sipas Kasos, institucionet shtetërore nuk kanë pasur guximin të shkoknë në gjyq, për të kundërshtuar marrjen e mbi 200 mijë metrave katrorë tokë nga familja Koleka.
Pas akuzave të Partisë Demokratike kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një postimi në platformën “X” ku shprehet se do të ngrejë padi mbi ata që shpifin ndaj tij e ndaj familjes së tij. Sipas kryeministrit ai nuk ka asnjë certifikatë pronësie për pronat e stërgjyshit të tij në Vuno.
“Duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë”,-shkruan Rama.
Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:
Përpjekja e dëshpëruar për të bërë një paralele të pamundur, mes pushtetit të përdorur për veten e për familjen dhe pushtetit të vënë në dispozicion të të gjithëve, ku edhe vetja, familjarët apo fisi yt trajtohen njësoj si të gjithë, është një përpjekje që e përshëndes me kënaqësi, sepse aq sa ç’është e neveritshme si gjithnjë kur hidhet baltë mbi familjen time për të luftuar në fakt me mua, aq është këtë herë edhe e mirëseardhur për të bërë dallimin si nata me ditën mes agresorëve të familjes time dhe meje si kundërshtar i papërkulshëm i tyre!
Të gjitha faktet që e ekspozojnë këtë përpjekje, si një lëtyrë të nxjerrë nga kanalet e ujrave të zeza mediatike në Tiranë e në Athinë, e tashmë të propaganduar nga skllevërit e ballkonit Non Grata, do të jenë pjesë e padisë së radhës në gjyq për këta të paudhë që në fakt, po i paguajnë me një vetëdiskreditim e vetëturpërim shembullor në sytë e shqiptarëve paudhësitë e panumërta, që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli kur kishin edhe gurin edhe arrën, në duart e tyre të mbrapshta e të pista.
Por për publikun ka vetëm një fakt. Sot e gjithë ditën, duzina e trashëgimtarëve të pronave të stërgjyshit tonë në Vuno të
Himarës, njësoj si plot trashëgimtarë të tjerë të kësaj zone – ku sapo isha së bashku me kryebashkiakun tonë të së dielës së ardhshme, Vangjel Tavon – nuk i ka marrë ende çertifikatat e pronësisë. Sepse unë, ndryshe nga kundërshtarët e mi pa din e pa iman, nuk jam i asaj kategorie përfaqësuesish të popullit, që tjetër thonë për njerëzit e tjetër bëj për vete.
Kështu që faleminderit që e hapën këtë gropë në publik për mua dhe bujrum le të hidhen vetë brenda, si zakonisht, por këtë herë me të mirën e madhe që populli do ta shohë dallimin e madh, si në një pasqyrë ku vetëm qorrat me qimen e syrit në tru mund të mbeten pa e kuptuar!
Deklarata e PD:
- Unë e njoh mirë këtë zonë, e njoh, e kam në gjak, ia di të tëra historitë. Mund të flisni ç`a të doni me ndonjë që vjen nga Durrësit dhe nuk di se ç`a bëhet. I di dhe konfliktet brenda për brenda familjeve. Unë vetë dhe e ndjera ime më, nuk kemi kërkuar kurrë asgjë. Ju e dini mirë se ku e kemi rrënjën këtu, por nuk kemi kërkuar asgjë. Asnjë metër katror” – Edi Rama, Himarë, më 24 maj 2024
- 3 vjet më parë, më 7 gusht 2021, Artan Lame i Kadastrës dhe ish- kryetari, tashmë i arrestuar i Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, dilnin para banorëve të Vunoit për të lajmëruar përfundimin e regjistrimit të pronave. Në listën e përfituesve, ndryshe nga sa pretendon Rama, ishte dhe fisi Koleka, dhe mes tyre Aneta Rama-Koleka;
- Bëhet fjalë për 22.4 hektarë ose 224 mijë metra katrorë, ku vëllezërit Rama marrin një pjesë jo të vogël. Një pasuri e tillë në atë zone, e painvestuar, përllogaritet me një vlerë 30 milionë euro;
Afera e tokave të Vunoit: Historiku
- Në vitin 2017, Edi Rama dhe trashëgimtarët të tjerë të fisit Koleka, kanë aplikuar të regjistrojnë pronën e tyre në Agjensinë e Trajtimit të Pronave-ATP;
- ATP e ka refuzuar regjistrimin, në një vendim ende të pazbardhur, por me siguri sepse ka gjetur mangësi në dokumentacion:
- Mungesa e vendimit të shpronësimit,
- Mungesa e pozicionimit të saktë (kufijtë) hartografikë të pronës.
Afera e tokave të Vunoit: Historiku
- Në këto kushte trashëgimtarët e familjes Koleka i drejtohen Gjykatës së Apelit Vlorë. Me Vendimin nr.49 dt. 19.03.2019:
- Ndryshon vendimin nr.504 dt.30.03.2017 të ATP,
- Njeh pronën prej 22,4 ha dhe bën pozicionimin e saj.
- Të gjitha Institucionet shtetërore, si ATP, ZRPP-Vlorë, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, Drejtoria e Pyjeve dhe Kullotave kanë braktisur gjykimin dhe vetëm Avokatura e Shtetit ka marrë pjesë një herë formalisht;
Afera e tokave të Vunoit: ndryshimi i kuadrit ligjor
- Ndërkohë, nga vitit 2016 deri në 2020, Rama ndërton një kuadër ligjor (2 ligje dhe 7 VKM), gjithë infrastrukturën ligjore për të përfituar pronën në fjalë:
- Ligj nr. 133, 2015: “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompesimint
pronës”.
- Ligj 20/2020 “Për Përfundimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë”, dt.05.03.2020;
- VKM nr. 89, dt.03.02.2016;
- VKM nr. 222, dt.23.03.2016;
- VKM nr. 223, dt.23.03.2016;
- VKM nr. 685, dt.28.09.2016;
- VKM nr. 766 , dt.20.12.2017;
- VKM nr. 1174, dt.24.12.2020
- VKM nr. 1114, dt.24.12.2020;
Afera e tokave të Vunoit
- Ky kuadër ligjor i mundëson familjes së Edi Ramës trajtimin e kërkesës së tyre për njohje dhe regjistrim në dy aspekte:
- Kthimin e pronës në kushtet kur dokumentacioni ligjor nuk ishte i plotë;
- Detyrimin e ATP-së të vijojë me regjistrimin e pronës pas vendimit të Gjykatës,
dhe jo rishqyrtimin e saj sic parashikonte ligji i mëparshëm.
Afera e tokave të Vunoit-Marrja e Pronës./EuroNews