Për mjekët që shkelin “Urdhrin e Mjekut” do të ketë deri në 1 milion lekë gjobë dhe heqje licencë.
Kështu bëri të ditur zv/ministrja e shëndetësisë, Entela Kolovani në një intervistë televizive.
Sipas Kolovanit, ndryshimet ligjore që u ndërmorën për ligjin e “Urdhrit të Mjekut” synojnë ofrimin e një shërbimi sa më cilësor ndaj pacientit.
“Masat disiplinore që mund të merren ndaj mjekut fillojnë që nga pezullimet, heqja e përhershme e licencës, gjobat nga 100 mijë lekë deri në 1 milion lekë, të cilat do të gjykohen nga komisionet disiplinore që ngrihen pranë “Urdhrit të Mjekut” dhe komisionet e apelimit. Heqja e licencës parashikohet e përkohshme, 6 muaj, ose përhershme për përsëritje të gabimeve”, theksoi Kolovani.
E pyetur se çfarë ndodh me shefat e shërbimit, të cilët aktualisht drejtojnë një klinikë private, Kolovani tha se sipas ndryshimeve ligjore, këta drejtues e kanë kategorikisht të ndaluar të mbajnë dy poste drejtuese dhe duhet të zgjedhin mes punës në shtet dhe atij privat.
“Të jesh një drejtues institucioni publik ka qëllim shërbimin ndaj pacientit, dhe titullari e ka të ndaluar që të lejë një shërbim dhe të japë një shërbim në një klinikë tjetër private. Ndërsa përsa i përket mjekëve, ata janë të lirë të punojnë edhe në institucione private jashtë orarit zyrtar në shtet, por gjithmonë vetëm me lejen e titullarit të institucionit shëndetësor shtetëror”, tha Kolovani.
Këshilli i Ministrave miratoi dje një ndryshim në ligjin “Për urdhrin e mjekëve” në Republikën e Shqipërisë. Në ligj ka edhe një rregullim që ka të bëjë pikërisht me faktin që drejtuesit e institucioneve publike shëndetësore e kanë të ndaluar të kenë dhe klinika private dhe t’i drejtojnë ato klinika private dhe duke qenë titullarë njëkohësisht dhe në strukturat spitalore shtetërore dhe në strukturat e tyre private”, tha Koçiu./ata