Është hapur tenderi për fazën e dytë të ndërtimit të infrastrukturës publike brenda Unazës së Re së zonës Kombinat, sipas Planit të Detyruar Vendor, ku një total prej 480 milionë lekësh do të shpenzohen për realizimin e punimeve në rrugë dhe trotuare, në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimeve, për ndërtimin e rrjeteve inxhinierike dhe linjave elektrike, si dhe për realizmin e punimeve për sinjalistikë rrugore.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet gjelbërimit dhe mobilimit urban, ku në blloqe të caktuara do të shtohen sipërfaqet me gjelbërim dhe do të ndërtohen kënde lojërash ose hapësira rekreative për banorët e zonës.

Referuar situatës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, kryesisht në zonën e Kombinatit, Bashkia e Tiranës ka përgatitur për një sipërfaqe rreth 145 ha, Planin e Detyruar Vendor për shpalljen për zhvillim të njësisë administrative nr.6, zona “Kombinat”. Për ndërtesat shumëkatëshe që do ndërtohen në katër zonat e reja ku do të rindërtohen pallatet e dëmtuara nga tërmeti, janë parashikuar investime në shuma të konsiderueshme, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të zonës dhe banorëve, si dhe për krijimin e një zone të zhvilluar të qytetit të Tiranës.

Mbështetur në këtë plan të përcaktuar, i gjithë blloku është konceptuar i ndarë në katër zona. Rrugët në këto blloqe janë sekondare dhe terciare. Keto segmente rrugore do te ndriçohen në të gjithë gjatësinë e tyre dhe në të dy anët e rrugës do të ndërtohen trotuare për këmbësorët, duke konsideruar gjithashtu edhe një korsi biçikletash.

Sipas PDYV Kombinat dhe detyrës së projektimit, e gjithë qendra e kombinatit do të kthehet në një zone elitare banimi në të cilën qarkullimi automobilistik do të bëhet nëpërmjet unazës së re, rrugëve te brendshme, si dhe disa zonave të reja zhvillimore./Tema