Nëse ke një kafshë shtëpiake dhe nuk di ku ta lësh kur nisesh me pushime, në Tiranë ka një strehë për t’i mbajtur ata të sigurt.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vizitoi strehën e kafshëve në zonën e Tufinës, e ndërtuar me standardet e Bashkimit Europian, për trajtimin e kafshëve të rrugës ose kafshët e braktisura.

Ai u bëri apel qytetarëve që largohen gjatë muajve të verës me pushime dhe nuk kanë ku t’i lënë kafshët e tyre, t’i dërgojnë në strehën e kafshëve, e cila do të kujdeset për to.

“Ajo që ndodh shpesh është se ka njerëz që largohen me pushime dhe i lëshojnë kafshët në rrugë. Dikush që e lëshon kafshën në rrugë, do të thotë se nuk e ka trajtuar si anëtar të familjes dhe nëse ky është një rast ekstrem, është më mirë që ta sjellin këtu për adoptim, të kujdesemi ne gjatë verës, sesa ta lëshojnë në rrugë, ku bëhet jo vetëm pre e infeksioneve, jo vetëm sjell problematika të tjera të ndotjes me kafshë që ushqehen në kazanë plehrash, por rrezikojnë edhe higjienën në temperaturë 40 gradë. Thirrja për të gjithë qytetarët është: Mos i braktisni kafshët shtëpiake. E kuptoj që të gjithë duan të ikin me pushime, por nëse keni thënë që është anëtar i familjes, merrini me vete, mos i braktisni. Nëse e keni absolutisht të pamundur t’i merrni me vete, është më e ndershme ta dorëzoni atë kafshë për adoptim dhe ne të gjejmë një familje që tregon më shumë kujdes, se sa ta braktisim në rrugë dhe t’i kthehemi një cikli, që Tirana e ka harruar prej 10 vitesh”, tha ai.

Veliaj ftoi të gjithë ata që po mendojnë të marrin një kafshë shtëpiake të konsiderojnë adoptimin në strehën e kafshëve.

“I ftoj të gjithë ata që po mendojnë të marrin një kafshë shtëpiake, të konsiderojnë adoptimin. Më mirë adoptoni se sa ta blini, sepse besoj fort që kjo kulturë e adoptimit na ndihmon edhe për të ulur këtë problematikë në qytet. Nëse dikush do të shkojë dhe të blejë një kafshë shtëpiake dhe nuk është përgatitur ta trajtojë si një anëtar të familjes, ndoshta është më mirë të mos e bëjë këtë hap, mos t’i harxhojë ato para dhe të mos ta llastojë atë fëmijë për një lodër të gjallë që i del nga qejfi për 2-3 muaj. Nëse nuk jemi përgatitur për një bashkëjetesë me kafshën shtëpiake për gjithë jetën e asaj kafshe, atëherë ndoshta është më mirë të adoptojmë dhe më mirë që t’i sjellim kafshët këtu, sesa t’i braktisim në rrugë”, sqaroi kryebashkiaku.

Streha që ndodhet në zonën e Tufinës ka një kapacitet prej 400 kafshësh, ku ofrohen disa shërbime për trajtimin e tyre.

Në këtë strukturë gjendet një sallë e mirëfilltë për operacione të ndryshme. Gjithashtu te streha bëhen vaksinimet dhe trajtimet antiparazitare, si edhe ka edhe një repart karantine për sëmundjet ngjitëse të kafshëve, ku monitorohet gjendja e tyre deri sa ekipi i përkujdesjes sigurohet që kafsha është në gjendje të mirë shëndetësore dhe mund t’i bashkohet kafshëve të tjera./ata