Vangjel Tavo ka arritur të fitojë me një rezultat të thellë zgjedhjet në Bashkinë e Himarës, ndërkohë që opozita u shfaq publikisht e dorëzuar ndaj tij, që në nisje të procesit.
Pa shkuar mesdita, opozita e Sali Berishës paralajmëroi humbjen, duke nxjerrë disa justifikime.
Më i rëndësishmi është se nuk iu dha mundësia 6 mijë qytetarëve të votonin, pasi iu kishte skaduar karta e identitetit.
Këta persona rezultonin me kartë të skaduara edhe në zgjedhjet e 14 majit, por atëherë askush nuk u ndje.
Dhe ka një arsye, pasi këta 6 mijë votues realisht nuk janë paraqitur të rinovojnë kartat e identitetit, pasi tashmë jetojnë jashtë, kryesisht në Greqi, dhe nuk vijnë të votojnë.
Pra nuk kanë ardhur të votojnë as zgjedhjet e shkuara, as këto zgjedhje (me përjashtim të pak vetave që janë sjellë me autobus nga Greqia).
Është njësoj si me mijëra emigrantë të tjerë shqiptarë, që nuk kthehen të votojnë kur ka zgjedhje në Shqipëri.
Drejtuesi i Arkivës, Ardit Bido, njohës i mirë i zonës dhe realitetit në Himarë, ka dhënë një shpjegim për pretendimin e opozitës, se 6 mijë vetëve iu mohua e drejta e votës.
Ai tha se këta zgjedhës janë banues të rregullt në shtetin grek, gëzojnë pasaportën helene dhe shërbimet i marrin të gjitha në Greqi, ndaj shumicës prej tyre nuk ju nevojitet mjeti i identifikimit shqiptar, dhe ndaj edhe nuk e posedojnë.
Sipas Bidos shifra e 6157 zgjedhësve me ID të skaduar është e njëjtë me atë të zgjedhjeve të 14 majit 2023.
“Nëse kemi 6000 njerëz që kanë karta të skaduara në Himarë, është e vërtetë, është ekzaktësisht e njëjta shifër në zgjedhjet e kaluara.
Ata njerëz nuk janë banues të Himarës, ata janë emigrantë në Greqi. Kanë pasaportën greke shumica e tyre dhe nuk ju duhet më pasaporta shqiptare.
Nga raportimet që bëri OMONIA janë vetëm vetëm 50 veta që janë kthyer për shkak të kartës. Një pjesë e madhe e tyre kanë ardhur me autobus.
Kjo dihej para tre javësh, që kishte dalë ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla që kishte thënë kush aplikon deri në 1 gusht e ka kartë deri në datën 3”, tha ai.
Në fund Bido zbuloi se në Himarë kanë mbërritur 12 autobusë me votues nga Greqia, çka për të përbën ndërhyrje në politikën e brendshme të Shqipërisë nga strukturat greke.
“Patëm mbi 12 autobusë të ardhur që është numër i lartë dhe tregon sërish ndërhyrje të strukturave të nacionalizmit politik grek në zgjedhjet brenda Republikës së Shqipërisë. Ndërhyrje e strukturuarve të një vendi të huaj në punët e brendshme të Shqipërisë dhe të mos bëjnë për interesa partiake të virgjërin politik”, tha ai.
Por autobusët e sjëllë nga Greqia, nuk i përmend askush nga opozita./Tema