Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar synojnë forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, priti sot në Tiranë për një vizitë kortezie Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King Smith, i cili është në përfundim të mandatit të tij në Tiranë.
Hoxha tha se, gjatë diskutimit të zhvilluar dakortësuam për rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë mes dy vendeve tona.
“Ambasadori më siguroi që programet e asistencës për Policinë e Shtetit do të vijojnë sipas agjendës”, informoi ministri, teksa bëri të ditur se, së fundmi, qeveria britanike ka ndarë një fond ‘grant’ prej 1 milion stërlina për ndërtimin e godinës së Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare dhe Migracionit në Laprakë.
“Së bashku me Ambasadorin Alastair King Smith, dhe diplomatët që e shoqëronin, folëm edhe për tema të tjera në lidhje me bashkëpunimin dypalësh. Presim të vijojmë bashkëpunimin dhe forcojmë partneritetin strategjik mes dy vendeve tona”, deklaroi ministri Hoxha./ata