Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në takimin e tij me homologen australiane, Penny Wong, u bëri thirrje të gjitha palëve në Lindjen e Mesme "të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet" pas vrasjes së kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh.
Sipas një deklarate të bërë nga Departamenti amerikan i Shtetit, Blinken u takua me homologen Wong, në kryeqytetin Washington.
Në deklaratën për shtyp, Blinken tha se pas vrasjes së Haniyeh "situata është kritike" për Lindjen e Mesme.
Duke thënë se cikli duhet të prishet duke arritur një armëpushim në Gaza, Blinken vuri në dukje se një armëpushim mund të sjellë qetësi në rajon.
Blinken deklaroi se të gjitha palët në Lindjen e Mesme "duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionin" dhe më tej shtoi se "Përshkallëzimi i tensionit nuk është në interesin e askujt. Ai do të çojë vetëm në më shumë konflikte dhe më shumë dhunë".
Ndërkohë, Blinken dhe Wong nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që përfshin partneritetin në luftën kundër informacionit të gabuar dhe dezinformimit.
Në rajon tensioni u rrit pas sulmit ajror që Izraeli ndërmori në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, ndaj Fuad Shukr, një prej komandantëve të lartë të Hezbollahut dhe vrasjes së kreut të Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran.
Kundër Tel Avivit janë bërë kërcënime për hakmarrje nga Irani dhe Hezbollahu libanez, të cilët e kanë mbajtur Izraelin përgjegjës për vrasjen e Haniyeh./aa