Grupi parlamentar i Partisë Demokratike njoftoi sot se do t’i kërkojë Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese mandatin e deputetit socialist Vullnet Sina.
Kjo kërkesë vjen sepse sipas grupit parlamentar të PD-së Sina ka përfituar miliona lekë nga buxheti i shtetit përmes kompanisë së tij private.
“Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se, deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milionë lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit”, bën të ditur grupi parlamentar I PD.
Në njoftim thuhet se, “deputeti Vullnet Sina rezulton se qënka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën”.
“Mocioni, së bashku me të gjitha provat që kompanitë e tij kanë përfituar pagesa miliona lekshe, në mënyrë të vijueshme nga Buxheti i Shtetit, është duke u përgatitur dhe do të dorëzohet gjatë kësaj jave zyrtarisht në Kuvend”, nënvizon grupi parlamentar i PD-së./ata