Partia Agrare Ambientaliste reagoi sot lidhur me rezultatin e zgjedhjeve për kryetar bashkie në Himarë ku doli fitues kandidati i Partisë Socialiste, Vangjel Tavo.

Në një deklaratë për mediet, PAA thekson se në Himarë, ai që humbi së pari ishte procesi, standardi i zgjedhjeve.

Sipas PAA, “në Himarë u dëshmua se ne ende nuk bëjmë dot zgjedhje të lira, të drejta dhe të besueshme”.

PAA ndau disa nga konkluzionet e raportit të organizatës KRIIK sipas së cilës listat e zgjedhësve nuk u afishuan as në ambientet me akses të lirë për publikun në Bashki dhe as në ambientet e Qendrave të Votimit, në kundërshtim me ligjin.

PAA vlerëson se, këto parregullsi, dhe të tjera, kanë ndikuar thelbësisht në deformimin e realitetit zgjedhor.

“Ato kanë devijuar votën dhe kanë deformuar rezultatin. PS nuk ishte në garë si një parti politike, por si një shtet dhe pushtet i tërë. Të gjitha asetet qeveritare dhe shtetërore ishin në shërbim të kandidatit të saj”, nënvizon PAA.

“Ajo që ndodhi në Himarë është në fakt një paralajmërim i frikshëm politik se kjo do të ndodhë edhe në zgjedhjet e përgjithshme 2025”, thekson PAA.

PAA i bën thirrje qeverisë të ndalojë përdorimin e aseteve publike dhe institucioneve shtetërore për qëllime elektorale.

Gjithashtu, PAA i bën thirrje institucioneve shtetërore shqiptare dhe atyre ndërkombëtare që mbulojnë çështjet zgjedhore, që të reagojnë ndaj sjelljes së partisë në pushtet si një parti-shtet.

PAA, po ashtu, i bën thirrje përfaqësive diplomatike, mike të Shqipërisë, që të ushtrojnë ndikimin e tyre që këto praktika elektorale, haptazi antiligjore dhe jo demokratike, të ndalohen.

Ndryshe, thekson PAA, “zgjedhjet në vitin 2025 do të dëshmojnë se ne nuk do të jemi më një demokraci hibride, por një diktaturë hibride”./ata