Presidenca e Bangladeshit njoftoi sot se fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus do të drejtojë një qeveri të përkohshme, pas shpërbërjes së Parlamentit dhe largimit të kryeministres Sheikh Hasina.

”Vendimi për të formuar një qeveri të përkohshme (…) me Junus si udhëheqës u mor gjatë një takimi midis presidentit Mohammed Shahabuddin, personaliteteve të larta të ushtrisë dhe udhëheqësve të organizatës ‘Studentët kundër diskriminimit’, lëvizja kryesore pas demonstratave të iniciuara në fillim të korrikut”, tha ajo.

“Presidenti kërkoi nga njerëzit që ta ndihmojnë për të kapërcyer krizën. Formimi i shpejtë i një qeverie të përkohshme është i nevojshëm për të kapërcyer krizën”, thuhet në një deklaratë nga presidenca.

Muhamed Yunus tha dje se ishte gati të merrte kreun e një qeverie të përkohshme.

“Unë gjithmonë jam distancuar nga politika(…) Por sot, nëse është e nevojshme të veprohet në Bangladesh, për vendin tim dhe për guximin e popullit tim, atëherë unë do ta bëj atë”, tha ai në një deklaratë me shkrim për AFP.

Ekonomisti 84-vjeçar, i njohur për nxjerrjen e miliona njerëzve nga varfëria falë bankës së tij pioniere mikrofinanciare, kishte tërhequr armiqësinë e vazhdueshme të Hasinës, e cila e akuzonte atë se “thithte gjakun” e të varfërve.

Duke folur për shtyp të martën, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi se kjo qeveri duhet ”të respektojë parimet demokratike, shtetin e së drejtës dhe reflektimin e vullnetit të popullit”.

E hëna ishte dita më vdekjeprurëse që nga fillimi i lëvizjes, me të paktën 122 të vdekur duke e çuar numrin e të vdekurve në të paktën 432.

Protesta kulmoi të hënën me largimin e Sheikh Hasinës, 76 vjeçe, e detyruar të arratisej me helikopter./ata