Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau online pamjet e vizitorëve të shumtë, të cilët kanë zbukuruar kurorën e Urës së Mesit.
Ura e Mesit është një ikonë e bukur e qytetit, ndërtuar në vitin 1768. Me këtë rast vizitorët vendas e të huaj kanë rastin të zbulojnë një gur të çmuar të historisë dhe arkitekturës së shek. XVlll.
Falë ndërhyrjes së kohëve të fundit prej Fondit Shqiptar të Zhvillimit, është kontribuar në rritjen e atraktivitetit të kësaj perle historike, duke e bërë atë një pikë të rëndësishme të vizitave turistike në Shkodër.
Ura e Mesit në Shkodër, është Monument Kulture. Restaurimi përfshiu pjesën hyrëse të urës për sistemimin me kanale të shkarkimit të ujërave të shiut, por edhe kapuçimin e të gjithë parapetit të urës në të dy krahët e saj.
Pjesë e projektit ishte edhe ndriçimi i Urës së Mesit. Gjithashtu ndërhyrje u bënë edhe në pjesën shkëmbore në të dyja bazamentet e harkut të madh të Urës së Mesit.
Ura ka gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, e për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër./ata