Në vitin 2022, qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian shpenzuan mesatarisht 257.6 euro për banorë nga fondet e tyre publike për kërkimin shkencor. Në vendet më të varfra, shifra është më e ulët.
Për shembull, qeveria e Serbisë shpenzoi në vitin 2022, rreth 34.4 euro për frymë për kërkimin shkencor, ndërsa ajo turke 36.5 euro për frymë. Por ka një vend në Europë ku situata është dramatike. Kjo është Shqipëria e Edi Ramës.
Sipas Eurostat, shpenzimet buxhetore të qeverisë shqiptare për kërkimin shkencor në vitin 2022 ishin vetëm 3.6 euro për frymë. Plot 72 herë më pak se mesatarja e qeverive të BE dhe 10 herë më pak se vendet e ngjashme si Serbia apo Turqia.
Qeveria shqiptare dhe dija duket se janë dy gjëra të papajtueshme me njëra tjetrën. Rezultatet e kësaj marrëdhënie problematike kanë filluar të shfaqen fort tashmë edhe në testet ndërkobëtare. Pak javë më parë, testi Pisa e renditi Shqipërinë të fundit në botë, për të menduarit krijues. Ndërkohë që klasifikimi i vendit përkeqësohet vit pas viti edhe në renditjen e tjera më të plota të sistemit arsimor.
Por teksa Shqipëria garon më veten për rekordet negative, qeverinë duket se nuk e shqetëson fare rrënimi i sistemit arsimor. Buxheti publik për arsimin dhe shkencën janë dëshmia më e qartë./SyriNet