Punësimi u rrit me 3 % gjatë vitit 2022, ndërsa shkalla e papunësisë për grup-moshën 15-74 vjeç është ulur me 0.6 pikë përqindje.

 

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi sot raportin mbi tregun e punës për vitin 2022, sipas të cilit forca e punës vlerësohet të jetë 1 457 959 persona, ku meshkujt përbëjnë 53.7 % të forcës së punës, ndërsa femrat 46.3 %.

 

Të punësuar vlerësohen të jenë 1 298 380 persona, ku meshkujt përbëjnë 54 % të të punësuarve dhe femrat 46 %.

Të papunë gjithsej vlerësohen të jenë 159 579 persona, ndër të cilët 52 % janë meshkuj dhe 48 % janë femra.

 

Në raport evidentohet se shkalla zyrtare e papunësisë për grupmoshën mbi 15 vjeç është 10.9 %. Për meshkujt, shkalla zyrtare e papunësisë është 10.6 % ndërsa për femrat është 11.4 %. Ndërkohë shkalla e papunësisë për grupmoshën 15-74 vjeç është 11 %.

 

Paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar me pagë, në Shqipëri, është 61.898 lekë. Krahasuar me vitin 2021, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 8.23 %.

 

Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 44.2 % dhe 33.9 % të të punësuarve gjithsej.

/ATSH