Meta u ndal tek situata e pushtetit vendor, të cilin ai e cilësoi si “skandaloze”.
Meta tha se, “niveli i shërbimeve që pushteti vendor ofron ndaj qytetarëve është mizerabël”.
“Në periudhën pas të ashtuquajturës reformë të pushtetit vendor është e qartë se nuk ka asnjë potencial shtesë të kapacitetit fiskal të pushtetit vendor për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të njësive të qeverisjes vendore dhe kjo duket pothuajse kudo në të gjitha bashkitë e Shqipërisë”, tha ai.
Përkundrazi, shtoi Meta, “buxheti vendor në përqindje me PBB-në në vitin 2024 ka një ulje të ndjeshme në raport me vitin 2026. Shpenzimet kanë ardhur në një rënie të vazhdueshme ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta”.
Meta u shpreh se, është rritur ndjeshëm pesha e shpenzimeve të personelit për paga në qeverisjen vendore.
“Sot që kemi 61 njësi të qeverisjes vendore paguajmë për stafin për personelin e bashkive 3 herë më shumë sesa paguanim përpara se të fillonte reforma kur ishin 400 e ca njësi të pushtetit vendor”, tha Meta.
Ai tha se, “PL në politikat e saj për përmirësimin drastik të qeverisjes vendore në radhë të parë është e vendosur dhe e angazhuar për të rritur autonominë fiskale të pushtetit vendor, nëpërmjet rishikimit të modelit të ndarjes së të ardhurave kombëtare dhe po kështu për të rishikuar të gjitha ligjet që kanë cenuar autonominë e pushtetit vendor përgjatë këtyre 10 viteve në funksion të centralizimit të të gjitha pushteteve në një dorë të vetme”.
Meta tha gjithashtu se, PL angazhohet në rritjen e kapaciteteve vendimmarrëse të pushtetit vendor mbi të ardhurat e veta në mënyrë që të rritet dhe llogaridhënia ndaj qytetarëve që paguajnë taksa për bashkitë.
“PL angazhohet për rritjen e kapacitetit financiar të qeverisjes vendore duke rritur të ardhurat edhe në formën e transfertës së pakushtëzuar nga 1% e PBB-së që është sot si transfertë e pakushtëzuar, në minimumi mbi 2% e PBB-së”, tha Meta.
Ai shtoi se, PL angazhohet për të krijuar një fond të veçantë për pushtetin vendor, i cili do të financojë projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe zhvillimore strategjike dhe rajonale./ata