Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti sot në një takim, Misionin e Vlerësimit të Ndihmës Zgjedhore në Shqipëri të një delegacioni të lartë të Këshillit të Evropës që përbëhej nga Liri Kopaçi – Di Michele, drejtuese e Divizionit të Bashkëpunimit Parlamentar dhe Zgjedhor, Franck Daeschler, koordinator i Programit të Zgjedhjeve, kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Shqipëri, ambasadorja Giulia Re’, zëvendëskryetari i Zyrës së KiE-së Olsi Dekovi dhe ekspertët e KiE-së, Ardita Driza-Maurer, Doina Bordeianu dhe Rasto Kuzel.
Në takim u diskutua në detaje për përforcimin e profesionalizmit dhe pavarësisë së administratës zgjedhore përmes krijimit dhe konsolidimit të një qendre trajnimi të përhershme, moderne, dinamike dhe fleksibël në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri.
Gjithashtu u bisedua për pjesëmarrjen e votuesve të rinj dhe atyre që votojnë për herë të parë në zgjedhje, forcimin e kapaciteteve dhe partneritetit të KQZ-së, shoqërisë civile dhe mediave në monitorimin e fazave të ciklit zgjedhor, monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve, mekanizmat dhe mjetet e ankesave dhe mosmarrëveshjeve, si dhe vlerat dhe parimet e BE-së, me synim anëtarësimin në BE.
Celibashi u shpreh se, mirëpret bashkëpunimin e ngushtë me Këshillin e Evropës me programe specifike për të përmirësuar dhe optimizuar kapacitetet e brendshme të KQZ-së në funksion të zgjedhjeve të vitit 2025 dhe më tej./ata