Të paktën 10 palestinezë, duke përfshirë fëmijë, u vranë sot në një sulm ajror izraelit që synonte zonën Al-Mawasi të qytetit Khan Younis në Gazën jugore, një rajon i caktuar nga ushtria izraelite si një "zonë e sigurt humanitare".
Burime mjekësore thanë për Anadolu se gjashtë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën në sulmin në zonën Al-Mawasi.
Dëshmitarët okularë thanë për Anadolu se sulmi ajror goditi një grup civilësh, duke përfshirë dy fëmijë, të cilët po kërkonin strehë pranë murit të një qendre të memorizimit të Kuranit të drejtuar nga Ministria e Vakëfeve Fetare në zonën Al-Mawasi.
Zona e synuar ishte “e mbushur me njerëz të zhvendosur”, shtuan dëshmitarët.
Ata vunë në dukje se rajoni është pjesë e "zonave të sigurta humanitare" të identifikuara nga ushtria izraelite, ku banorët u këshilluan të kërkonin strehim.
Megjithatë, kjo e ashtuquajtur “zonë e sigurt” ka mungesë të nevojave elementare dhe është e mbipopulluar me persona të zhvendosur.
Më vonë gjatë ditës, në një sulm ajror në zonën Talhiyya, në lindje të qytetit Khan Younis, u vranë katër palestinezë të tjerë, duke përfshirë një fëmijë.
Burimet mjekësore informuan Anadolu se katër palestinezë, duke përfshirë një fëmijë, dhe disa të plagosur u sollën në spital pas sulmit ajror.
Sulmi ajror kishte në shënjestër një shtëpi që i përkiste familjes Maamar në zonën Talhiyya, ku ushtria izraelite kishte urdhëruar banorët të evakuonin të enjten, sipas dëshmitarëve.
Me lëshimin e urdhrave të evakuimit dhe njoftimin e ushtrisë izraelite për një operacion ushtarak në Khan Younis sot në mëngjes, ka pasur një valë të konsiderueshme të të zhvendosurve drejt rajoneve perëndimore të Rripit të Gazës.
Sulmet ajrore izraelite janë intensifikuar në zonat lindore të qytetit Khan Younis prej disa ditësh.
Izraeli ka vazhdon me ofensivën shkatërruese ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor të vitit 2023, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 39.700 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 91.700 të tjerë janë plagosur. Më shumë se 10 muaj nga lufta izraelite, pjesë të mëdha të Gazës mbeten në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në qytetin jugor Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa