Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar operacionet rreth periudhës tranzitore për implementimin e Rregullores për operacione me para të gatshme.
Siç ka njoftuar BQK-ja, sipas planit, brenda një periudhe tremujore do të mundësohet informimi dhe bashkëpunimi i plotë me institucionet bankare për operacione me para të gatshme në valutën euro.
Disa ndër pikat e përmendura në këtë plan janë funksionalizimi i linjës telefonike pa pagesë, lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare e pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së, e aplikueshme për hapjen e zyrave.
Gjithashtu, ndër pikat e përmendura janë edhe zgjerimi i prezencës me degë bankare dhe jobankare për rritjen e ofrimit të shërbimeve financiare në komunat në veri të vendit, hapja e llogarisë bankare në mënyrë mobile, vendosja e bankomatëve (ATM), lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me EURO nga institucionet financiare dhe këmbimoret e licencuara.
“Këto veprime ndërmerren krahas angazhimit konstruktiv, në lehtësimin e mekanizmit të transferimit të mjeteve në mënyrë sa më efikase nga Serbia në Kosovë, përmes llogarive bankare dhe modeleve tashmë të njohura, të paraqitur në letrën e propozimit të BQK-së, me gatishmërinë për të shqyrtuar çdo opsion”, njofton BQK-ja.
Sipas këtij institucioni, ky plan kontribuon veçanërisht tek qytetarët me qasje të kufizuar në financa dhe shërbime financiare dhe mundëson rritjen e qasjes në financa të sigurta përmes bankave dhe institucioneve financiare jobankare, gjithpërfshirjen financiare dhe mbrojtjen e tyre nga aktivitetet financiare të pashëndosha.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë më herët u ka adresuar një mesazh qytetarëve nga komuniteti serb, të cilëve u ka thënë se mënyra se si qarkullonte dinari serb në Kosovë deri para 1 shkurtit 2024, ua mundësonte grupeve kriminale të forconin ndikimin mbi popullin serb dhe t’i frikësonin ata./aa
Ai tha se Kosova nuk e ndaloi dinarin, as valutat e tjera, por që, “i vetmi ndryshim është se nga 1 shkurti, paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë, siç nuk mund të bëhet në asnjë shtet demokratik, por mund të vijnë përmes llogarive bankare, të tërhequra në euro”.
Sot, mijëra qytetarë nga komuniteti serb, protestuan në Mitrovicë të Veriut, në kërkim të shfuqizimit të Rregullores së re të BQK-së, e cila ndalon operimin me para tjera në treg, përpos me valutën euro.