Në fjalimin e tij në video, presidenti ukrainas, Volodimir Zelensky tha se komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, Oleksandr Syrskyi, e kishte informuar atë për “përparimin e luftës në territorin e agresorit”.
”Ukraina po provon se është e aftë të sigurojë drejtësi dhe të ushtrojë presion mbi agresorin”, deklaroi Zelensky.
As Zelensky dhe as ushtria në Kiev nuk dhanë detaje të mëtejshme mbi statusin aktual të avancimit të trupave ukrainase.
Të enjten, Zelensky tha se ”Rusia solli luftën në tokën tonë dhe duhet të ndjejë atë që ka bërë”.
Autoritetet ruse vazhduan të evakuojnë dhjetëra mijëra civilë nga rajoni jugor i Kurskut, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtua trupave ukrainase për herë të parë pas pesë ditësh luftime të ashpra.
Forcat ruse të mbrojtjes civile thanë se rreth 76 000 civilë janë evakuuar nga rajoni kufitar dhe janë akomoduar në pjesë të tjera të Rusisë.
Ndërsa inkursioni i Kievit vazhdoi në ditën e pestë, blogerët ushtarakë rusë përshkruan përpjekjet e forcave të armatosura ukrainase për të vazhduar atë që ata e quajtën “një blitzkrieg” (”luftë rrufe”).
Mes informacioneve të kufizuara për situatën në vijën e frontit, Ministria Ruse e Mbrojtjes publikoi video që tregonin tanke që merrnin pozicione luftarake për të goditur trupat ukrainase.
“Për momentin, situata është stabilizuar”, shkroi blogeri ushtarak Alexander Kharchenko në një raport të situatës të publikuar nga kanali Telegram Rybar.
“Sudzha është në këmbë, komanda po bën çdo përpjekje për të pastruar qytetin nga armiku”, shkroi Kharchenko, duke iu referuar një lokacioni në rajonin Kursk afër kufirit me Ukrainën.
“Nëse armiku nuk vendos forca të rëndësishme në mënyrë të papritur në një vend, atëherë mund të themi se kulmi i krizës ka kaluar”, shtoi ai.
Sipas Institutit Amerikan për Studimin e Luftës (ISW) në Uashington, Ministria Ruse e Mbrojtjes është ende duke u përpjekur të përmbahet nga tërheqja e trupave nga vijat e frontit në Ukrainë për të përforcuar njësitë në Kursk./ata