Shqipëria ka shkruar emrin e saj për herë të parë në listën e medalistëve të Lojërave Olimpike, duke siguruar në këtë edicion të aktivitetit madhor sportiv dy medalje të bronzta.
Fillimisht mundësi Çermen Valiev në peshën 74 kg të stilit të lirë dhe më pas mundësi Islam Dudaev në peshën 65 kg të stilit të lirë, bënë që në podiumin e Lojërave Olimpike në Paris 2024 të valëvitej edhe flamuri shqiptar, si asnjëherë më parë.
Kësisoj, Shqipëria e sheh veten më në fund mes ekipeve që kanë siguruar medalje në një Olimpiadë dhe ka bërë të mundur që të renditet jashtë listës së zakonshme të “pjesëmarrjes dinjitoze” ku renditej zakonisht. Falë dy medaljeve të bronzta, Shqipëria e sheh veten në vendin e 80 në klasifikimin e përgjithshëm, me po aq medalje sa Grenada, Malajzia dhe Porto Riko.
Në total janë 91 vende (përfshirë edhe ekipin e refugjatëve) që kanë fituar medalje në këtë edicion të Lojërave Olimpike, ku morën pjesë 207 delegacione të vendeve të ndryshme./BalkanWeb